Në Lincoln gjithmonë kemi besuar se mësuesi bën diferencën.
Një program i mirë mësimor ka rëndësi. Materialet cilësore kanë rëndësi. Një klasë e organizuar mirë ka rëndësi. Por, në fund të fundit, është mësuesi ai që i bashkon të gjitha këto dhe krijon mjedisin ku ndodh të nxënit e vërtetë.
Pikërisht për këtë arsye, që në fillim, i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë cilësisë së mësuesve tanë.
Kur po përgatiteshim të hapnim dyert në Tiranë në vitin 1997, kërkuam disa nga mësuesit më të respektuar të gjuhës angleze në qytet — profesionistë si Nikolina Koka, Mimoza Djepaxhi, Hatixhe Agalliu, Gëzime Skënderi, Vigjilenca Pollo dhe të tjerë, të cilët kishin tashmë vite përvojë dhe një përkushtim të thellë ndaj profesionit të tyre.
Por nuk u ndalëm aty.
Donim të ndërthurnim përvojën dhe profesionalizmin e mësuesve të shkëlqyer shqiptarë me praktikat më të mira të metodologjisë amerikane të mësimdhënies. Për këtë arsye, sollëm pedagogë dhe specialistë të fushës nga jashtë, si anëtari i hershëm dhe për shumë vite i Bordit tonë, Dr. John Hughes, për të trajnuar mësuesit tanë në mësimdhënien me në qendër nxënësin, menaxhimin e klasës, planifikimin e mësimit, vlerësimin dhe metodat praktike që i ndihmojnë nxënësit të mësojnë në mënyrë më efektive.
Synimi ynë ishte të krijonim klasa model — mjedise me mësues të përgatitur, nxënës të përfshirë, pritshmëri të larta dhe mundësi reale për të mësuar.
Me kalimin e kohës, ato praktika u bënë pjesë e asaj që tani e quajmë The Lincoln Way™.
Të ndërtojmë mbi themele të forta
Gati tri dekada më vonë, ky përkushtim vazhdon.
Sot, shumë prej mësuesve tanë më me përvojë janë vetë trajnuesit e kolegëve të tyre.
Ata marrin bazat e vendosura që në vitet e para të Lincoln-it, i zhvillojnë ato më tej dhe ua përcjellin brezave të rinj të mësuesve tanë. Mësuesit e rinj nuk marrin thjesht një klasë dhe një libër. Ata bëhen pjesë e një kulture profesionale të mësimdhënies, me standarde të qarta, kolegë me përvojë dhe pritshmërinë për t’u zhvilluar vazhdimisht si profesionistë.
Në të njëjtën kohë, mësuesit tanë me përvojë vazhdojnë të zhvillojnë dhe përsosin praktikën e tyre të mësimdhënies.
Gjatë gjithë vitit, organizojmë ditë të zhvillimit profesional, takime me mësuesit dhe trajnime duke u krijuar mundësi mësuesve tanë të analizojnë orët e mësimit, të shkëmbejnë ide, të gjejnë zgjidhje për sfidat që hasin dhe të përmirësojnë vazhdimisht cilësinë e mësimdhënies.
Mësimdhënia e mirë kërkon një përkushtim të tillë.
Mësuesit më të mirë nuk mendojnë kurrë se kanë mbaruar së mësuari se si të mësojnë. Ata vetë janë nxënës gjatë gjithë jetës.
Një Përkushtim që na Frymëzon
Një nga gjërat që më frymëzon vazhdimisht në Lincoln është serioziteti dhe përkushtimi profesional i mësuesve tanë.
Ata duan që nxënësit e tyre të mësojnë.
Ata përgatiten.
Ata vlerësojnë se çfarë po funksionon dhe çfarë duhet përmirësuar.
Ata ndihmojnë njëri-tjetrin.
Ata vazhdojnë të mësojnë edhe vetë.
Dhe ata e kuptojnë se çdo nxënës që hyn në një klasë në Lincoln na beson diçka të çmuar: kohën, burimet, shpresat dhe, shpesh, plane të rëndësishme për të ardhmen.
Kjo përgjegjësi meriton më të mirën tonë.
Prandaj, kur mendoni se ku duhet të studioni ju ose fëmija juaj, shikoni përtej emrit të kursit apo librit që përdoret.
Pyesni për mësuesin.
Pyesni se si përzgjidhen mësuesit.
Pyesni se si trajnohen ata.
Pyesni nëse ata vazhdojnë të zhvillohen profesionalisht edhe pasi fillojnë të japin mësim.
Sepse mësuesi bën diferencën.
Prej gati 29 vitesh, Lincoln ka mbështetur dhe zhvilluar mësues që janë të përkushtuar ndaj përparimit të nxënësve dhe përsosmërise profesionale.
Ne jemi krenarë për ta.
Dhe besojmë se do ta shihni ndryshimin sapo të hyni në një klasë në Lincoln.
Mësuesit tanë janë të jashtëzakonshëm—dhe janë gati t’ju ndihmojnë të mësoni.
Robb Provost
02.09.2026